
Osmani në Budapest për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur vizitën zyrtare në Hungari, me ftesë të presidentit hungarez, Tamas Sulyok.
Osmani është pritur me një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake, të organizuar në sheshin Kossuth Lajos në Budapest, pas së cilës të dy presidentët kanë zhvilluar një të përbashkët.
Në kuadër të vizitës, presidenti Sulyok ka shtruar drekë zyrtare për presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial Sandor.
“Faleminderit për pritjen me nderime ushtarake në Budapest, president Sulyok! Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se potenciali për rritjen e mëtejme të bashkëpunimit Kosovë – Hungari është i madh dhe vendi ynë mbetet i përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet tona. “Në takim, i shpreha presidentit Sulyok mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë afruar edhe më shumë dy vendet tona”, ka pohuar Osmani.
Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Hungari, do të pritet gjithashtu nga Laszlo Kover, kryetar i Parlamentit të Hungarisë.
Në kuadër të agjendës, presidentja Osmani po ashtu do t’i drejtohet studentëve dhe profesorëve të Universitetit Eotvos Lorand me një ligjëratë dhe diskutim me temën “Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara”, ku do të shpalosë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, përfshirë integrimin euroatlantik.
Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me oda ekonomike në Hungari.