
I jepet lamtumira e fundit Bujar Bukoshit
Të enjten i është dhënë lamtumira e fundit ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshit. Ceremonia e varrimi të tij u mbajt në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani.
Në mbledhjen komemorative përkujtimore për jetën e tij, foli vajza e të ndjerit, Shota Bukoshi.
Ajo tha se babai i saj, “aq sa ishte i saktë në skalperin e operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin”.
“Po aq ishte mbështetës, plot dashuri dhe me humor kur ishte te ne në shtëpi”, u shpreh Shota.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri homazhe të enjten pranë arkivolit të ish-kryeministrit Bukoshi, në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Ai u shprehu ngushëllimet e tij më të thella familjarëve të të ndjerit.
Në Librin e Kujtimeve, kryeministri Kurti, shkroi se dr. Bujar Bukoshi ishte kryeministër i jashtëzakonshëm, sepse kohërat ishin të tilla e njashtu edhe guximi i tij dhe atë do ta kujtojmë me nderim, kurse historianëve u mbetët ta studiojnë me kureshtje.
Një ditë më parë, të mërkurën, Kuvendi i Kosovës në nisjen e seancës së 30-të konstituive, mbajti 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Bujar Bukoshit.
Bujar Bukoshi vdiq më 10 qershor në moshën 78-vjeçare. Ai po vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.