Presidenti i FFK-së i uron titullin e kampionit në futsall FC Prishtinës 01

Presidenti i FFK-së i uron titullin e kampionit në futsall FC Prishtinës 01

“Përgëzime për FC Prishtina 01 për kurorëzimin si kampion i Superligës në futsall dhe për mbylljen e këtij edicioni me kurorën e dyfishtë, Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit. Ky sukses dëshmon qartazi forcën, përkushtimin dhe karakterin fitues të kësaj skuadre”, ka shkruar në Facebook presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Ai ka thënë se ky titull, i treti me radhë, erdhi pas një finaleje dramatike dhe emocionuese ndaj FC Drenicës dhe e cila u vendos vetëm pas ekzekutimit të penalltive. Ishte një përballje kampionësh, ku prishtinasit në fund ishin më me fat.

“Suksesi i këtij sezoni është padyshim fryt i punës së palodhshme të lojtarëve, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit, të cilët ndërtuan një ekip me identitet të qartë dhe që tashmë është bërë sinonim i dominimit në futsallin kosovar. Urime FC Prishtina 01 për titullin e kampionit dhe shumë suksese në sfidat e ardhshme, brenda dhe jashtë vendit! Përgëzime edhe për FC Drenica për një finale të jashtëzakonshme, por edhe për klubet e tjera që i dhanë emocione të shumta këtij edicioni të garave”, ka shkruar Ademi.