
Osmani takon shefin e BE-së, flasin për konstituimin e institucioneve të reja
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e konstituimit të institucioneve të reja si dhe rrugën evropiane të Kosovës.
Në takim, u diskutua edhe për vizitën e fundit të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas.
Presidentja Osmani e vlerësoi këtë vizitë, njëlloj si edhe vizitat e zyrtarëve të tjerë të lartë të BE-së, si një sinjal të përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të Kosovës për integrim në strukturat evropiane.
Në këtë kontekst, ndër të tjera, u diskutua edhe për rëndësinë e reformave, bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet evropiane.