
Myslimanët festojnë Kurban Bajramin me lutje për paqe dhe solidaritet
Besimtarët e fesë islame janë duke festuar të premten festën e Kurban Bajramit, duke bërë lutje për paqe dhe solidaritet mes njëri-tjetrit.
Ceremonia kryesore në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, nën drejtimin e myftiut Naim Tërnava, i cili ka thënë se festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi.
“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi”.
Liderët shtetërorë të Kosovës i kanë uruar besimtarët për këtë festë, duke bërë thirrje për harmoni dhe begati në çdo familje.