
Tirana me masa të rrepta për ndeshjen Shqipëri-Serbi
Policia e Shtetit ka njoftuar se do të ndërmarrë një sërë masash të sigurisë për ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë që mbahet të shtunën në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit tha se pret nga tifozët që ta mbështesin Kombëtaren në mënyrë korrekte dhe sportive dhe të mos e shohin këtë ndeshje si ‘luftë’.”
Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë. Aktualisht, Shqipëria ka 3 pikë dhe është e dyta në këtë grup, ndërkaq Serbia nuk ka asnjë pikë.
Policia shqiptare njoftoi se në kuadër të planit të hartuar për të ofruar siguri për këtë ngjarje, ajo do të kryejë kontrolle të rrepta të të gjithë personave që do të hyjnë në stadiumin në Tiranë, për të parë nga afër ndeshjen kualifikuese për Botëror.
Ajo tha se kjo do të bëhet me qëllim që tifozët të mos fusin në stadium banderola me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike e të tjera.
“Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë [përreth stadiumit ‘Arena Kombëtare’], sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje antidronë”, thuhet në njoftim.
Në një ndeshje mes Shqipërisë dhe Serbisë të zhvilluar në Beograd më 2014, ndeshja ishte ndërprerë pasi një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, hyri në stadium, gjë që shkaktoi përleshje mes futbollistëve në stadium, dhe thirrje nacionaliste të serbëve kundër shqiptarëve.
Teksa tregoi për planin e saj, Policia e Shtetit u bëri thirrje tifozëve që gjatë ndeshjes së futbollit t’i respektojnë ligjet.
Duke u thirrur në Kodin Penal të Shqipërisë, Policia ua kujtoi qytetarëve se hyrja në fushën e gjelbër gjatë lojës është vepër e dënueshme me gjobë, apo me burgim deri në tre muaj. Po ashtu, u tha se hedhja e sendeve të forta në fushë apo në drejtim të njerëzve dhe përdorimi i mjeteve piroteknike janë të dënueshme nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim.
“Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, tha Policia e Shtetit.