Haradinaj: Qeveria duhet të japë llogari pse është vonuar në blerjen e raketave anti-tank Javelin
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas kërkesës së Kosovës për të porositur raketa anti-tank “Javelin” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj tha se lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite, pasi sipas tij, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat “Javelin”.
“Po lexoj se si Kosova paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin. Lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite! Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka shkruar se kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë.
“Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në!”, ka shkruar Haradinaj.