
Rusia më në fund propozon një plan armëpushimi me Ukrainën, ja dy kushtet thelbësore
Rusia ka paraqitur dy propozime konkrete për arritjen e një armëpushimi me Ukrainën, sipas raportimeve të mediave shtetërore ruse. Sipas agjencisë së lajmeve RIA, Moska i ka dorëzuar Kievit dy alternativa, me kërkesa që pritet të ngjallin reagime të forta.
Opsioni i parë parashikon që Ukraina të tërheqë plotësisht forcat e saj ushtarake nga katër rajone, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, të cilat Rusia i konsideron si pjesë të territorit të saj sovran. Këto zona janë aktualisht pjesërisht nën kontrollin rus pas pushtimit të filluar në shkurt të vitit 2022.
Opsioni i dytë është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila përfshin një sërë kushtesh që Moska kërkon të zbatohen në këmbim të një armëpushimi.
Sipas agjencisë TASS, në të dy rastet kërkohet që tërheqja e forcave ukrainase nga territoret e kontrolluara nga Rusia të realizohet brenda 30 ditëve pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim.
Ndërkohë, Rusia kërkon gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të njohë zyrtarisht Krimenë, Donbasin dhe të ashtuquajturën Novorosiya si pjesë të Federatës Ruse.
Një tjetër kusht i panegociueshëm për Kremlinin është që Ukraina të mbetet një vend neutral, pra të mos anëtarësohet në NATO.
Këto propozime vijnë në një kohë kur lufta ka hyrë në vitin e saj të tretë dhe palët mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Deri tani, pala ukrainase nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar për këto kushte, raporton BallkanWeb.