
Arrestohen 15 të dyshuar për lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rremë
Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjilan, pas një hetimi intensiv rreth njëvjeçar, të hënën, ka realizuar me sukses një operacion policor mirë të planifikuar dhe organizuar, që ka rezultuar me arrestimin e pesëmbëdhjetë personave të dyshuar.
Arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë hetimit janë siguruar dëshmi të arsyeshme se të dyshuarit kanë qenë të përfshirë në veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit’’ dhe “Mashtrim kompjuterik’’.
Bazuar në informacionet dhe provat e mbledhura gjatë hetimit, të dyshuarit, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm për vete dhe persona të tjerë kanë përdorur të dhëna të ndryshme bankare, duke shkaktuar dëme materiale për qytetarë.
Operacioni është realizuar në koordinim dhe autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Të gjithë të arrestuarit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që përmes mjeteve teknologjike cenojnë sigurinë financiare të qytetarëve.