Krasniqi: Fatkeqësisht bllokada e inicuar nga LV-ja po vazhdon në Kuvend

Krasniqi: Fatkeqësisht bllokada e inicuar nga LV-ja po vazhdon në Kuvend

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas kësaj seance se Lëvizja Vetëvendosje s’po bën “asnjë veprim” që do ta nxirrte Kosovën nga “situata e rëndë”, duke insistuar në propozimin e Albulena Haxhiut pavarësisht se, siç tha, ka pasur të tjerë në LV që kanë pasur ambicie për t’u ulur në karrigen e kryetarit të Kuvendit.

Krasniqi ka thënë se bllokada po vazhdon edhe mbi tre muaj e gjysmë pas zgjedhjeve për shkak të kryeneçësisë politike të Albin Kurtit.

“Kanë kaluar një muaj e gjysmë prej kur ka filluar tentimi për ta konstituuar Kuvendin dhe mbi tre muaj e gjysmë prej kur janë mbajtur zgjedhjet, fatkeqësisht bllokada e inicuar dhe e mundësuar nga Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon në Kuvendin e Kosovës. Ne as sot s’kemi institucione dhe duket që s’ka as interesim e asnjë veprim që do ta nxirrte Kosovën nga situata e rëndë në të cilën kjo kryeneçësi politike e z. Kurti dhe partisë Vetëvendosje e ka futur vendin tonë. Vërtetë është për keqardhje që s’ka asnjë reflektim”, ka thënë Krasniqi.