Prishtina shkëlqen në finale përballë Llapit, fiton Kupën e Kosovës

Prishtina shkëlqen në finale përballë Llapit, fiton Kupën e Kosovës

Prishtina është fituese e edicionit 2024/25 të Kupës së Kosovës në futboll. Në finalen e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, skuadra e kryeqytetit e mposhti Llapin, me rezultat minimal 1:0, duke e siguruar kështu trofeun për herë të nëntë në histori dhe për herë të dytë në tri edicionet e fundit.

Trofeun kapitenit të Prishtinës, Drilon Islamit, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pas një ceremonie solemne në fund të ndeshjes.

Golin e vetëm dhe vendimtar për Prishtinën e realizoi mesfushori Albin Krasniqi në minutën e 61-të, me një goditje të fuqishme nga zona, e cila u devijua nga mbrojtësi i Llapit, Diar Vokrri, dhe përfundoi në rrjetën e portierit kroat, Marijan Çoriq.

Pak çaste para golit, Llapi mbeti me një lojtar më pak, pasi mesfushori Arbnor Ramadani u përjashtua, duke ia vështirësuar punët skuadrës së tij.

Pavarësisht angazhimit dhe përpjekjeve, Llapi nuk arriti ta gjejë golin dhe mbetet me dy trofe të fituar në këtë garë, ndërkohë që për Prishtinën kjo ishte finalja e tretë radhazi në Kupë. Edhe në finalen e edicionit 2022/23 Prishtina kishte triumfuar duke e mposhtur Gjilanin me rezultat 2:0, ndërsa vitin e kaluar humbi ndaj Ballkanit pas penalltive (4:2), pasi ndeshja ishte mbyllur 2:2 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve.

Prishtina, përveç trofeut prestigjioz, siguroi edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.