Kurti: Kandidatura e Haxhiut nuk tërhiqet, jemi të gatshëm për kompromise për qeverinë

Kurti: Kandidatura e Haxhiut nuk tërhiqet, jemi të gatshëm për kompromise për qeverinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës.

Ndonëse propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, Haxhiu konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar.

Kurti ka folur edhe për formimin e qeverisë së re të vendit. Ai theksoi se gjatë procesit të formimit të qeverisë, do të jetë i gatshëm për kompromise dhe koncesione.

Kurti përmendi si partnerë të mundshëm pakicat, si dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Ata që kanë dyshime nëse ai i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, Kurti i porositi: “Më testoni”.

Sipas tij, një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me pakicat dhe me Nismën do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvend.

Ai konfirmoi se ka pasur takime me Limajn dhe një rritje të besimit mes tyre, por jo një marrëveshje konkrete.

Ai konfirmoi se ka pasur takime me Limajn dhe një rritje të besimit mes tyre, por jo një marrëveshje konkrete.

Kurti bëri të ditur se një nga parakushtet e Nismës ka qenë pozita e kryetarit të Kuvendit – kërkesë që, sipas tij, nuk ka qenë e mundur të përmbushej, pasi Nisma ka siguruar vetëm tre deputetë në Kuvend.

Megjithatë, Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëqeverisje me Nismën.

“Synimi jonë është të kemi një qeveri të re, e cila është e re në përbërje. Pa dyshim që do të ketë edhe befasi dhe ndryshime në kabinetin qeveritar”, tha ai.