
Kryetari Latifi përkujton heroin Mehedin Morina
Me familjarë, bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të pranishëm, në Gexhë, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar heroin Mehedin Morina nga Gllareva e Klinës dhe bashkëvendësit e vrarë nga pushtuesit serb.
“Në pjesën e parë të majit 1998, lufta e armatosur për liri mori përmasa dhe po shtrihej nga dita në ditë. Pas betejës së suksesshme të UÇK-së ndaj forcave serbe, e cila u zhvillua me 12 maj 1998 në Ratkoc, Malësi e Vogël, Vrajakë e Bërtatin, rrafshi i Anadrinisë u shndërrua në Zonë të Lirë. Natën midis 13 dhe 14 majit, luftëtarët e lirisë ishin në pozicione në Kodrën e Gradishit, e në mëngjesin e 14 majit, filluan luftime të ashpra të UÇK-së me forcat serbe. Lufta ishte e pabarabartë. Në njërën anë, armiku me makinerinë e luftës, me tankse e automjete të blinduara dhe me artileri rrihte pandërprerë pozicionet e UÇK-së, në anën tjetër, luftëtarët e lirisë, me armë të lehta, por me zemrën zjarr e me trimëri i qëndronin e luftonin me pushtuesit. Në gjithë këtë përballim të vështirë, mbështetja e popullit anadrinas, vërtet ishte e jashtëzakonshme”.
“Luftëtarë të sprovuar nëpër vështirësi e përballje me të keqen, si Mehedini, asnjëherë nuk e zgjedhin vendin ku do të luftojnë, nuk e dinë vendin se ku do të vriten, por një gjë e dinin mirë: ata udhëhiqen nga një ideal dhe qëllim i vetëm – të luftojnë për çlirimin e tokave tê pushtuara dhe të gjinden aty ku kishte më së shumti nevojë për ta. Në betejën për Gradishin, forcat pushtuese serbe, më 14 maj 1998, vranë edhe Bajram Himajn dhe Qamil Himajn nga Gexha dhe Imer Kajdomçajn nga Xërxa, të cilët nuk ishin me armë ndërsa me 15 mars 1999, edhe qytetarin Zymer Morinën nga Gexha”, ka thënë kryetari Latifi.