
Osmani u ka dërguar ftesat partive për konsultime rreth ngërçit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar në takim liderët e partive politike të enjten. Ky takim vjen pas ngëçit të krijuar me moskonstituimin e legjislaturës së nëntë.
Bekim Kupina, këshilltar i presidentes, ka thënë për Express Osmani do të nisë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga 15 maji dhe se ftesat për takimet e para janë dërguar për çka edhe po presin konfirmimet.
“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, tha Kupina.
Osmani kishte shprehur gatishmërinë për t’i takuar krerët e partive “nëse ata e konsiderojnë të nevojshëm një angazhim të tillë”.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, kishte thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.
Që nga 15 prilli kur ka filluar seanca konstituive, akoma VV nuk ka arritur t’i sigurojë votat për ta ulur Albulena Haxhiun në karrigen e kryekuvendarit. Opozita e kanë cilësuar atë si “figurë përçarëse” dhe kanë kërkuar nga VV që ta ndërrojë kandidaten.