
Ballkani, Gjilani e Dukagjini fituan si mysafirë
Java e 34-t në Albi Mall Superligën e Kosovës ka sjellë rezultate mjaft interesante si në garën për pozitat që dërgojnë në garat evropiane, ashtu edhe në garën për mbijetesë, kur deri në përfundim të edicionit kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro.
Gjilani ka arritur fitore të madhe si mysafir ndaj Prishtinës, me rezultat 2:1, duke mbetur fuqishëm në garë për pozitën e tretë që dërgon në Evropë.
Epërsia për mysafirët erdhi qysh në minutën e 12-të pas autogolit të Limanit, kurse Prishtina u rikthye në lojë me golin e barazimit nga Gnapi në minutën e 51-të.
Megjithatë, goli i Jarovicit në minutën e 80-të vulosi fitoren e Gjilanit, që tashmë ka 49 pikë dhe ruan gjasat për vendin e tretë, që aktualisht mbahet nga Malisheva, me 52 pikë. Kjo e fundit nuk ka lejuar befasi, duke fituar në shtëpi ndaj Feronikelit 74, me shifrat 1:0.
Në një përballje me pesë gola, Ballkani arriti të marrë tri pikë në udhëtim ndaj Ferizajt, me rezultat 3:2, duke ia zbehur gjasat ferizajasve për pozitën e tretë. Golat për skuadrën portokallezi i shënuan Giovanni Ribeiro (35’), Queven Inacio (57’) dhe Valentin Sebresos (60’), ndërkohë që vendasit shënuan dy herë, por pa arritur të shmangin humbjen.
Një tjetër fitore me peshë e regjistroi Suhareka, e cila në përballjen direkte për mbijetesë e mposhti Llapin, me rezultat 4:2. Protagonist i ndeshjes ishte Mevlan Zeka me hat-trick, ndërsa një gol tjetër për vendasit e realizoi Jakup Berisha.
Për mysafirët shënuan Arianit Hasani dhe Ardit Tahiri. Me këtë fitore, Suhareka mbetet me shpresa për t’iu shmangur rënies direkte nga elita, pasi tani ka 39 pikë, vetëm dy më pak se Llapi.
E fitore me vlera të mëdha për t’iu shmangur rrezikut realizoi Dukagjini që në Gjilan e mposhti kampionen tashmë të konfirmuar, Dritën, me rezultat 1:0, falë golit të Hekuran Berishës. Kjo fitore e ngjit Dukagjinin në vendin e gjashtë me 45 pikë.