Begaj: Të dënohen nxitësit dhe autorët e sulmit në Banjskë

Begaj: Të dënohen nxitësit dhe autorët e sulmit në Banjskë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e trupit diplomatik në vend.

Kreu i Shtetit shqiptar në fjalimin e tij u fokusua në arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat e Shqipërisë, ato rajonale dhe globale përgjatë vitit 2024.

Duke folur për sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit, ai tha se kjo e rindezi konfliktin, duke përkeqësuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Begaj tha se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Këtë zhvillim, ai e ndërlidhi me rajonin tonë, duke përmendur rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit që lamë pas.

“Edhe rajoni ynë nuk ka qenë imun ndaj kërcënimit prej krizave reale. Akti terrorist i shtatorit 2023 në Banjskë dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën. Fatmirësisht, nuk pati përshkallëzime”.

“Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Evropën”, tha mes tjerash presidenti shqiptar.

Ai tha se Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj euro-atlantik, ndërsa përshëndeti vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës.

Begaj në këtë fjalim u bëri thirrje vendeve që ende s’e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

“Për ambasadorët e vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, dua të ripërsëris kërkesën ta njohin Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm”, tha Begaj, teksa ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë që dialogu Kosovë -Serbi të jetë i hapur dhe të avancojë, të normalizojë marrëdhëniet mes palëve dhe të çojë drejt njohjes reciproke.

Veç tjerash, ai shfaqi shpresën se presidencat belge dhe hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe presidenca malteze e OSBE-së, gjatë këtij viti do t’i kushtojnë vëmendjen e duhur rajonit të Ballkanit Perëndimor në funksion të mbizotërimit të frymës së bashkëpunimit dhe të dialogut.