
Kurti dhe LVV po përpiqen të imponojnë logjikë nënshtrimi
Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në Gjykatën Kushtetuese mund të dërgohen votimi i deputetëve kundër propozimit të kandidaturës për kryeparlamentare dhe shkeljet kushtetuese përmes ripropozimit të saj.
Në një postim në Facebook duke komentuar zhvillimet e fundit me ngërçin në konstituimin e parlamentit ku Lëvizja Vetëvendosje po insiston me emrin e Albulena Haxhiut për këtë post, ai tha se “çështja nuk ka të bëjë më me emrin e përveçshëm të kandidatit, apo nëse qeveria do të formohet nga LVV apo do të ketë zgjedhje të reja”.
“Thelbi është përpjekja për të imponuar një logjikë nënshtrimi, ku Kurti dhe LVV, përmes përmbysjes së rregullave kushtetuese, rrezikojnë të asgjësojnë çdo rezistencë demokratike dhe opozitare. Ata nuk duan ndarje pushtetesh – duan të zëvendësojnë shtetin me vetveten”.
“Ne mund të debatojmë e vonohemi pafund, por nuk ka forcë mbi këtë tokë, që i bënë njerëzit e Kosovës të pranojnë nënshtrim!”, shkroi ai, transmeton Klankosova.tv.