Vizitë historike në Kiev: Merz, Macron, Starmer dhe Tusk bashkohen për paqen në Ukrainë

Vizitë historike në Kiev: Merz, Macron, Starmer dhe Tusk bashkohen për paqen në Ukrainë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz e kishte njoftuar vizitën në Ukrainë vetëm një ditë pas marrjes së detyrës.

Pas bisedimeve të tij në Bruksel, kancelari nuk u kthye në Berlin, por shkoi drejt e në Poloni. Atje, Merz hipi në një tren special për të udhëtuar gjatë natës për në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Dhe jo vetëm. Gjithashtu në bord: krerët e shteteve dhe qeverive të Francës, Polonisë dhe Britanisë së Madhe, Emmanuel Macron dhe Keir Starmer. Edhe kryeministri polak, Donald Tusk ka udhëtuar në Ukrainë.

Thirrje Rusisë të mos pengojë përpjekjet për paqe të qëndrueshme

Kjo është hera e parë që krerët e shteteve dhe qeverive të këtyre katër vendeve udhëtojnë së bashku në Ukrainë për të vizituar presidentin Volodymyr Zelensky. Si shenjë e qartë e “solidaritetit me Ukrainën kundër pushtimit barbar dhe të paligjshëm rus”, thuhet në deklaratën e përbashkët, duke e përshkruar gjithashtu vizitën si “historike”.

Në këtë deklaratë, katër evropianët mbështesin thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje paqeje dhe “i bëjnë thirrje Rusisë të mos i pengojë përpjekjet drejt një paqeje të qëndrueshme”.

Së bashku me SHBA-në, ata i bëjnë thirrje Rusisë që të pranojë një armëpushim 30-ditor – “të plotë dhe të pakushtëzuar”. Një armëpushim i tillë mund të krijojë hapësirë ​​për bisedime për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, thuhet në deklaratë. Gjakderdhja duhet të përfundojë, Rusia duhet të ndalojë pushtimin e paligjshëm dhe “Ukraina duhet të jetë në gjendje të lulëzojë si komb i sigurt dhe sovran brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht për brezat që do të vijnë.”

Në deklaratën e katër krerëve të shteteve dhe qeverive thuhet, se ata do të rrisin mbështetjen e tyre për Ukrainën. “Për sa kohë që Rusia nuk bie dakord për një armëpushim përfundimtar, ne do të rrisim presionin mbi makinerinë ruse të luftës”, thuhet në deklaratë. Komisioni i BE-së në Bruksel aktualisht po përgatit paketën e 17-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Me kryeministrin polak Tusk është pjesë e vizitës në Kiev edhe një përfaqësues i një shteti të BE-së me kufij të drejtpërdrejtë me Ukrainën dhe Rusinë. Katër evropianët ndërmorën udhëtimin për në Ukrainë më 9 maj – në mbrëmjen e një dite simbolike, Dita e Evropës. Po më 9 maj, Rusia shënoi 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste me një paradë të madhe ushtarake dhe festime në të gjithë vendin./ DW