
Vajzat e KV Vëllaznimi, kampione të Kosovës në U16
Skuadra e vajzave të KV Vëllaznimi ka triumfuar në Kampionatin e Kosovës për grupmoshat U16, duke u shpallur kampione pas një performance të jashtëzakonshme.
Në finalen emocionuese, Vëllaznimi mposhti Ulpianën me rezultat 2:1, duke treguar forcë, vullnet dhe lojë të pjekur. Para kësaj, në gjysmëfinale, vajzat kuqezi kishin siguruar kualifikimin me një fitore bindëse 2:0 ndaj Ferizajt, duke e bërë rrugëtimin e tyre drejt titullit edhe më të lavdishëm.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve ishte një moment i veçantë, ku medaljet u ndanë nga nënkryetarja e FVK-së, Emine Ramadani Reka, dhe anëtari i bordit, Merkur Zhubi.
Pikërisht Zhubi pati nderin të dorëzojë edhe kupën e kampionit për vajzat e Vëllaznimit, duke kurorëzuar kështu një sezon të paharrueshëm për këtë skuadër të re e të talentuar.