LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë

LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë dorëzuar zyrtarisht kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj ish-kryeministrit Albin Kurti dhe të gjithë ish-ministrave të Qeverisë së kaluar të cilët janë zgjedhur deputetë, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, i shkruar dhe miratuar nga vet ky pushtet, si dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës së LDK-së, pas certifikimit të tyre si deputetë më 27 mars, këta zyrtarë kanë vazhduar të ushtrojnë funksione ekzekutive, duke marrë vendime të një natyre që ndalohet qartësisht nga neni 26 i Ligjit për Qeverinë, i cili kërkon dorëheqje të detyrueshme nga pozita qeveritare në rast të certifikimit si deputet. “Duke mos u larguar nga funksionet ekzekutive dhe duke vazhduar të përdorin burimet institucionale të shtetit, të dyshuarit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë prodhuar pasoja konkrete institucionale, financiare dhe juridike. Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe konsumojnë elementet e veprës penale të nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Deputetët e LDK-së kërkojnë nga Prokuroria që të nisë hetime penale ndaj të gjithë të dyshuarve, të shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga Qeveria pas datës së certifikimit si dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar përgjegjësi penale dhe politike”, është theksuar në komunikatën e LDK-së.

Më tej thuhet se kjo është një thirrje e qartë për përgjegjësi ligjore dhe integritet institucional.

“Për LDK-në askush, pavarësisht funksionit, nuk mund të vendoset mbi ligjin. Republika e Kosovës duhet të funksionojë mbi themelet e barazisë para ligjit dhe ndarjes së pushteteve”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e kësaj partie.