Ndërmarrja “Infrakos” ka njoftuar opinionin publik, operatorët ekonomikë dhe të gjithë përdoruesit e rrugëve që kryqëzojnë linjën hekurudhore Fushë Kosovë – Pejë, për rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore.
Sipas njoftimit, në këtë linjë janë të instaluara laura automatike në vendkalimet hekurudhore, të cilat funksionojnë përmes një sistemi sensorësh me qëllim garantimin e sigurisë në trafikun hekurudhor dhe atij rrugor.
“Infrakos Sh.A njofton qytetarët, operatorët ekonomikë dhe të gjitha palët e interesit se në linjën hekurudhore Fushë Kosovë – Pejë janë të instaluara laura automatike në vendkalimet hekurudhore, të cilat funksionojnë përmes një sistemi automatik të sensorëve dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor. Me këtë rast, Infrakos Sh.A u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugëve, operatorëve të makinerive punuese dhe çdo pale tjetër që gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre të respektojnë brezin e sigurisë pranë trupit të hekurudhës dhe të mos afrohen më pak se 3 (tre) metra nga trupi i binarit, përveç rasteve kur janë të autorizuar dhe punimet zhvillohen në koordinim me autoritetet përgjegjëse. Respektimi i kësaj distance është i domosdoshëm për funksionimin e sigurt dhe të pandërprerë të sistemit automatik të vendkalimeve hekurudhore, si dhe për garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor”, është thënë në njoftimin për medie, duke theksuar se çdo mosrespektim i brezit të sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore do të monitorohet përmes sistemit të kamerave dhe në rast të konstatimit të shkeljeve, do të ndërmerren veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë edhe raportimin e rasteve te organet kompetente.

