Tre persona janë plagosur në Podujevë pas të shtënave me armë zjarri, thanë nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, i tha Radios Evropa e Lirë se të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor.
Të shtënat u raportuan në orën 13:30 të së enjtes.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se tre persona janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha ai.
Policia shtoi se po ndërmerre veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Në Kosovë llogaritet se në duart e qytetarëve janë mijëra armë zjarri pa leje.
Ekspertët kanë argumentuar se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.

