
Cakolli: Votimi i fshehtë për kancelarin gjerman është i rregullt, krahasimi me Kosovën nuk qëndron
Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, tha se me votim të fshehtë Bundestagu Gjerman votoi për Kancelarin Friedrich Merz, gjë që do duhej të ndodhte edhe në Kosovë.
E lidhur me këtë, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim deklaroi se votimi i fshehtë për kancelarin gjerman Friedrich Merz është në përputhje me rregullat dhe se krahasimi me situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës është i pasaktë.
Përmes një postimi në Facebook, Cakolli shpjegoi se Merz u zgjodh kancelar përmes negociatave, pa ndryshuar procedurat ekzistuese.
Ai vuri në dukje se në Kosovë, ndryshimi i votimit të hapur në favor të një votimi të fshehtë po konsiderohet vetëm për shkak të mungesës së marrëveshjes politike.
“Në Gjermani, votimi i fshehtë për kancelarin është një normë e përcaktuar qartë, jo një zgjidhje e çastit. Kancelari Merz fitoi përmes negociatave, pa modifikuar procedurat. Në Kosovë, përkundrazi, po përpiqemi të ndryshojmë votimin e hapur – që garanton transparencë – vetëm sepse nuk ka marrëveshje politike dhe mungojnë votat e nevojshme për kandidaten. Për më keq, ky ndryshim po bëhet mes procesit, gjë që është si të ndryshosh rregullat gjatë lojës,” shkroi Cakolli.
Reagimi i tij në Facebook:
Në Gjermani, votimi i fshehtë për kancelarin është rregull, i përcaktuar shprehimisht, jo një zgjidhje e çastit. Ndërsa, kancelari Merz fitoi përmes negociatave, pa ndryshuar procedurat.
Në Kosovë, po tentohet të ndryshohet votimi i hapur – normë që siguron transparencë – vetëm sepse mungon marrëveshja politike dhe votat për kandidaten. Për më keq, kjo po bëhet mes procesit, që është si të ndryshosh rregullat gjatë lojës.
Prandaj, krahasimi i situatës aktuale në Kuvendin e Kosovës me votimin e fshehtë për kancelarin Merz në Gjermani, nuk qëndron!
Gjermania do të duhej të merrej si shembull krahasues, vetëm për arritjen e marrëveshjes politike apo diskursit të fushatës.