
Avokati i Popullit: Mbrojtja e të drejtave në punë është detyrim i shtetit
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Avokati i Popullit rithekson rëndësinë thelbësore që ka mbrojtja dhe respektimi i të drejtave në punë si pjesë integrale e të drejtave të njeriut.
Të drejtat në punë, ndër të tjera, duhet të garantojnë kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune, trajtim me dinjitet, pa diskriminim dhe me paga të drejta në të gjitha sektorët e punës.
Në shënim të kësaj dite, Avokati i Popullit nënvizon detyrimin që ka shteti për të garantuar dhe mbrojtur këto të drejta, duke përfshirë zbatimin e plotë të Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe përmirësimin e kushteve të punës, si dhe zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin sipas detyrës zyrtare “Të drejtat e punëtorëve në raport me shëndetin dhe sigurinë në punë në Republikën e Kosovës”, i publikuar në vitin 2024. Raporti kishte identifikuar mangësi serioze në zbatimin e ligjeve ekzistuese, mungesë të inspektimeve efektive dhe mungesë të trajnimeve për punëtorë e punëdhënës, si dhe shumë mangësi të tjera.
Avokati i Popullit rithekson nevojën urgjente për zbatimin e këtyre rekomandimeve që kanë për qëllim: funksionalizimin e Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë; funksionalizimin e Këshillit Ekonomiko-Social, që nëpërmjet tij të fillojë dialogu me partnerët socialë për të arritur pajtimin për Kontratën e Përgjithshme Kolektive; funksionalizimin e sektorit të mjekësisë së punës; rritjen e numrit dhe kapaciteteve të inspektorëve të punës; themelimin e një mekanizmi ndërinstitucional për parandalimin e aksidenteve në punë, dhe rekomandime të tjera.
Avokati i Popullit në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen ndaj situatës së rëndë në sektorët me rrezikshmëri të lartë si: puna në miniera, në sektorin e energjetikës, sigurisë – si zjarrfikësit, policia – dhe sektori i ndërtimtarisë. Të punësuarit në këto sektorë përballen çdo ditë me kushte të rënda pune dhe rrezik të lartë për jetën. Rastet e shpeshta të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale mbeten shqetësuese. Ndërkohë, përveç mungesës së progresit në masa që parandalojnë këto rreziqe, kjo situatë tregon për mungesë të zbatimit të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, si dhe Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Avokati i Popullit tërheq vëmendjen për nevojën urgjente që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë në reformimin e Ligjit të Punës, me qëllim që pushimi i lehonisë të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe të mos vazhdojë të mbetet një barrë financiare për bizneset dhe punëdhënësit. Kjo masë është kyçe për garantimin e barazisë gjinore në punësim dhe përkrahjen e grave në tregun e punës.
Mbetet thelbësore garantimi i të drejtës për gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm në rastet e kontesteve që lindin nga marrëdhënia e punës, për të siguruar mbrojtje efektive dhe reale për punëtorët.
Avokati i Popullit thekson rëndësinë e mosdiskriminimit dhe integrimit të agjendës gjinore në të gjitha politikat dhe praktikat e punësimit, si një kusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe një shoqëri të drejtë.