
Nga 5 maji qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Izrael, kërkohet vetëm autorizimi ETA-IL
Duke filluar nga data 5 maj 2025, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetin e Izraelit për qëllime turistike.
Këtë e ka bërë me dije Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, përmes një postimi në platformën “X”.
“Duke filluar nga data 5 maj 2025, vizitorët nga Kosova që mbajnë një pasaportë kombëtare të vlefshme të Kosovës dhe që planifikojnë të vizitojnë Shtetin e Izraelit për qëllime turistike, do të përfshihen në listën izraelite të vendeve të përjashtuara nga viza”, ka shkruar ambasadorja.
Megjithatë, udhëtarët duhet të pajisen me një ETA-IL (Autorizim Elektronik për Udhëtim) para se të nisen drejt Izraelit.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës që planifikojnë të vizitojnë Izraelin duhet të aplikojnë për ETA-IL të paktën 72 orë para mbërritjes”, sqaron Ambasada.
ETA-IL është një miratim elektronik që lejon hyrjen dhe qëndrimin në Izrael deri në 90 ditë për çdo vizitë. “Të gjithë udhëtarët drejt Izraelit duhet të kenë një vizë të vlefshme ose një miratim ETA-IL përpara se të nisin udhëtimin e tyre. Marrja e një ETA-IL është një proces i thjeshtë dhe i shpejtë, nëse i plotëson kushtet”, thuhet më tej në njoftim.
Ambasada e Izraelit në Kosovë u drejtohet qytetarëve me një ftesë miqësore: “Mirë se vini në Izrael dhe ju urojmë një vizitë të mrekullueshme!”.