
Nesër hiqen kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës
Nesër rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.
Udhëtarët që e frekuentojnë këtë pikë-kalimi me Shqipërinë në Vërmicë, nga e nesër do të kalojnë pa pengesa.
Marrëveshja e lëvizjes së lirë e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar, shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror, raporton RTK.
Edhe këtë sezon, lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës.