Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas caktimit të 16 shtatorit si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK ka theksuar se caktimi i kësaj date përbën një tjetër “raund të poshtërimit publik” ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Reagimi i OVLUÇK-SË:
OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm.
Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia.
Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë.
Kjo situatë nuk mund të tolerohet më.
Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet.

