Çeku: Sa herë që Përparim Rama ‘ e bën fort bërllok punën’, Abdixhiku del në mbrojtje të tij

Çeku: Sa herë që Përparim Rama ‘ e bën fort bërllok punën’, Abdixhiku del në mbrojtje të tij

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me mbështetjen e këtij të fundit për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Në reagimin e tij, Çeku deklaroi se sa herë që Rama “bën fort bërllok punën”, Abdixhiku del në mbrojtje të tij.

Postimi i Çekut në Facebook:

Sa herë që Përparimi e bën fort bërllog punën, në ndihmë i vjen Lumiri. E para, sepse janë bashkë në marifetet e tyre të kundërligjshme, dhe e dyta, sepse e kanë nisur fushatën për Prishtinën, po e përgatisin mashtrimin e radhës.

Por, ka një arsye edhe më të madhe. Në fakt, Lumiri është duke e mbrojtur veten. Sepse ishte ai që para afër katër vitesh e solli arkitektin nga Londra dhe u tha qytetarëve të Prishtinës votojeni sepse ky do ta zhvillojë kryeqytetin.

Dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë, në fakt, është dështim i Lumirit. Dhe pafytyrësia në këtë rast po merr dimension të ri. Në vend që të turpërohet nga kjo, ai mbron paligjshmëritë dhe paralajmëron vazhdimësi të keqqeverisjes edhe për një mandat.

Përralla elektorale e Lumir-Përparimit është kjo: nuk arritëm të bëjmë ndonjë punë të vlefshme për katër vite, por fajet i ka qeveria. Me shumë zhurmues të sponsorizuar po mendojnë që qytetarët do ta besojnë përrallën. Mbrojtjen e ligjshmërisë po tentojnë ta shesin si bllokadë politike.

Ne nuk do të heqim dorë për asnjë çmim nga mbrojtja e ligjshmërisë; as nuk e kemi këtë të drejtë. Të gjitha provat për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit nga komuna i kemi dorëzuar në institucionet e drejtësisë. Çdo vonesë për t’i adresuar këto shkelje do t’i kushtojë rëndë buxhetit e kryeqytetit.

Për të gjithë propagandistët, dua të bëj një sqarim. Ligji parasheh që për investime brenda zonave të mbrojtura, duhet të merret edhe pëlqimi i autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këtij detyrimi ligjor i nënshtrohen të gjithë, edhe komunat e institucionet e tjera, përfshi vet Ministrinë e Kulturës për investimet e saj.

Dhe një tjetër informacion për propagandistët. Kur komuna e Prishtinës e ka respektuar ligjin dhe procedurën, psh. në projektin e sallës koncertale, përveç që i është dhënë pëlqimi, si ministri kemi ndarë edhe dhjetë milionë euro buxhet si mbështetje për komunën.

Gjithashtu, kemi një listë të gjatë investimesh qendrore në infrastrukturën kulturore e sportive të kryeqytetit në katër vitet e fundit, disa prej të cilave janë në pritje të ndarjes së tokës nga komuna, edhe një premtim i parealizuar nga kryetari.

Ne jemi për zhvillimin e Prishtinës, ne duam dhe mbështesim projektet që e rrisin mirëqenien e qytetarit. E vetmja kërkesë e jona është të respektohen ligjet e procedurat. Pse duhet të jetë kaq e vështirë përmbushja e detyrimeve ligjore?