
Natasha Kandiq nderohet me Çelësin e Qytetit të Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhuruar Çelësin e Qytetit aktivistes për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, në shenjë mirënjohjeje për rolin e saj në dokumentimin e krimeve serbe gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së këtij nderimi, Rama vlerësoi lart figurën e Kandiq, duke theksuar se ajo ka kaluar mbi tri dekada duke dokumentuar krimet e luftës dhe duke punuar për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë. Ai tha se ky akt simbolik është shprehje e falënderimit të Prishtinës për përkushtimin e saj ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.
“Zonja Kandiq ka kaluar mbi tri dekada duke dokumentuar krimet e luftës të kryera midis viteve 1992-1999 në ish-Jugosllavi. Ajo themeloi Fondin për të Drejtën Humanitare dhe punoi për t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë, edhe kur kjo kërkonte të thuhej e vërteta e hidhur për bashkëkombësit e saj. Sot, me këtë akt simbolik, dua t’i shpreh falënderimin tonë të thellë kësaj gruaje që ia kushtoi jetën mbrojtjes së së vërtetës dhe drejtësisë me përkushtim të admirueshëm,” tha Rama.