Qeveria Rama në Shëngjin, fokusi i mbledhjes në ditën e dytë
Qeveria Rama vijon këtë të mërkurë ditë e dytë të mbledhjes informale që po zhvillohet në një resort privat në Shëngjin të Lezhës. Pritet që ditën e sotme, të prezantohen konkluzionet e takimit të parë dhe të caktohen detyrat për mazhorancën në parlament, ministrat dhe institucionet. Po ashtu parashikohet edhe një mbledhje e qeverisë.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar në ditën e parë të analizës së punës së qeverisë më tepër komunikim me opozitën për të kaluar në parlament ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Në listën e projektligjeve është edhe amnistia për të burgosurit.
Ndërsa Komisionit të Reformës Zgjedhore pritet t’i zgjatet mandati pas muajit Mars, me qëllimin për të realizuar rekomandimet e OSBE-ODHIR. Një reformë që mbetet sfidë për PS pasi kërkon 84 vota, detyrimisht një konsensus me opozitën.
Mazhoranca është e vendosur që komisionet parlamentare të zhvillohen online, me shpresën se opozita do të reflektojë dhe do tërhiqet nga aksioni i mosbindjes civile, me ndihmë edhe të rregullores së ndryshuar, që i ndëshkon deri në 2 muaj.
Një pjesë e mbledhjes u fokusua për programin e qeverisjes në 4 shtyllat, administratën publike, inovacionin, projektin pilot të regjistrimit të pronave dhe shërbimet, të cilësuara si prioritetet e qeverisë.
Rama postoi në rrjetet sociale vetëm foto nga takimi i parë i analizës që u zhvillua për 11 orë pa dhënë zbuluar ndonjë vendim konkret.
Ndonëse ende i padekretuar nga presidenti, në mbledhje i pranishëm ishte edhe Blendi Gonxhe, i propozuar nga Rama në postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./tvklan.al/