Hykmete Bajrami: Albini nuk është kryeministër

Hykmete Bajrami: Albini nuk është kryeministër

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Albin Kurti nuk është kryeministër.

Sipas saj, me gjithë votat që ka marrë, ai në këtë moment është vetëm një nga 120 deputetët, i cili me konsistencë po vazhdon t’i shkelë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Edhe nëse dikush përpiqet t’i amnistojë duke thënë se ‘Ligji për Qeverinë s’është ligj i hartuar mirë’, ne e kemi Nenin 72 të Kushtetutës, i cili është i prerë: ‘Deputeti nuk mund të mbajë post ekzekutiv’. Kjo nuk është çështje teknike. Kjo është shkelje e rendit kushtetues, marrje peng e institucioneve dhe shkelje e betimit të dhënë në Kuvend. Po e përsëris: Albin Kurti nuk është më kryeministër, as Albulena Haxhiu, as Hekurani Murati, as të tjerët nuk janë më ministra – janë deputetë që po vazhdojnë të sillen si qeveri, po i mashtrojnë qytetarët, po i shkelin ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Ajo i ka bërë thirrje Kurtit që t’i bëjë votat në Kuvend dhe të kthehet me mandat të ri në zyre.

“Z. Kurti, bëji votat në Kuvend! Kthehu në zyrë me mandat të ri, ose eja në Kuvend dhe rri si deputet. Përndryshe, me këto sjellje dhe veprime je duke vazhduar me rrënim të rendit kushtetues. Kushtetuta nuk është alternativë – është detyrim! Abuzimi në emër të votës, abuzimi me pushtet dhe shkelja e ligjeve dhe e Kushtetutës nuk duhet të normalizohen. Prokuroria duhet të veprojë – tani!”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se LDK-ja shumë shpejt do të bëjë kallëzim penal për këtë çështje.