
Parashikimet për rritje ekonomike të FMN-së për Greqinë në të kaluarën dhe për Kosovën sot
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Parashikimet e FMN-së se Greqia do të ketë rritje ekonomike pozitive ndër vite e quan këtë shtet drejt falimentimit. Parametrat ekonomik në Greqi që nga viti 2003 kanë qenë mjaft shqetësues, sidomos sa i përket punësimit, investimeve të huaja, korrupsionit, stagnimit ekonomik dhe rënies së eksporteve.
Ndihmat nga BE-ja dhe konsumi apo shpenzimet dhe korrupsioni i përcjell me inflacion ishin shtyllat e vetme që funksiononin në atë kohë deri sa shteti grek nuk u gjend para falimentimit, dhe u nevojit ndërhyrje emergjente e BE-së dhe institucioneve tjera ndërkombëtare për ta shpëtuar!
FMN-ja dilte edhe atëherë me parashikime për rritje ekonomike në Greqi dhe se çdo gjë në rregull!!?
Në Kosovë misioni i FMN-së bazohet vetëm në monitorimin e stabilitetit bankar dhe ato makro-fiskal që është qasje e gabuar.
Kosova ka nevojë për një monitorim horizontal ku analizohen edhe parametra të tjerë ekonomik, dhe aty të jepen rekomandime dhe parashikime reale për rritje ekonomike.
Kosova sot është nën masa apo sanksione ekonomike nga Bashkimi Evropian që dëmtojnë në aspektin ekonomik, politik, social, integrues dhe psikologjik.
Kosova ka mungesë të stabilitetit politik që e ngulfat zhvillimin dhe perspektiven ekonomike. Kosova ka përqindjen më të ultë të investimeve të huaja duke anashkaluar diasporën.
Kosova është shtet i varur nga importi ku në vitin 2024 kemi importuar mbi 6.3 miliardë euro dhe krahas kësaj kemi importuar edhe inflacion të heshtur ku jetën e qytetarëve e bënë më shtrenjtë se sa në Evropë.
Nga Kosova po ikin të rinjtë dhe atë në heshtje që është një ikje më e rrezikshme sesa egzodin. Që nga fillimi i liberalizimit Kosovën e kanë braktisur 170.000 qytetarë. Sektori privat është i ballafaquar me presione politike të pa para dhe me mungesë të dialogut publiko privat. Korrupsioni dhe tenderët një burimor janë rekord dhe po vazhdojnë të rriten. Projektet publike dhe implementimi i tyre janë në pikën kritike dhe po ngufatin sektorin privat.
Rritja e kredive bankare është shqetësuese, kreditë konsumuese janë në rritje të madhe dhe kur i shtohet fakti i shfrytëzimit të overdraftit nga qytetarët e paraqet realitetin ekonomik të Kosovës.
Kur e analizoni pagën minimale, pagën mesatare dhe pensionet e kuptoni se ku është Kosova në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian.
Me këta indikatorë ekonomikë dhe atë vetëm disa prej tyre që janë aktualisht në Kosovë – të thoni se Kosova ka zhvillimin më të madh ekonomik në Evropë nuk i bëni nder as Kosovës e as qytetarëve të saj.
Kosova ka nevojë për kritik konstruktive që është në funksion të zhvillimit e jo për parashikime të segmentuara që më shumë irritojnë sesa që ndihmojnë.