Sorensen në Prishtinë, theksohet rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit

Sorensen në Prishtinë, theksohet rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, kreu një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë të enjten, nga ku tha se do të udhëtojë për në kryeqytetin serb, Beograd.

Në vizitën e tij të dytë në Prishtinë, Sorensen u takua me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi.

I pyetur rreth vizitës, Sorensen tha shkurtimisht për gazetarë se “jemi duke punuar” dhe se ndodhej në Kosovë ashtu siç ia kërkon detyra si i dërguar i bllokut. “Është një vizitë normale, siç mund ta shihni. Jam i lumtur që jam këtu dhe tani do të shkoj në Beograd dhe pastaj do të kthehem në Bruksel”, tha ai.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha në një njoftim për media se Bislimi dhe Sorensen biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik.

“Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Ky ishte takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar. Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sorensen për takimin e bisedën si dhe bashkëpunimin mes tyre”, ka njoftuar qeveri në detyrë.