
Kosova mbyll sërish institucione të Serbisë
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se është mbyllur Ndërmarrja Publike Komunale në Shtërpcë.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë asnjë lloj paralelizmi të institucioneve tona dhe asndonjë nënshtrim ndaj direktivave nga Beogradi në territorin e shtetit tonë”, shkroi ajo në një postim në llogarinë e saj në “Facebook”.
Institucionet sipas sistemit serb kanë funksionuar pas vitit 1999 në mjediset ku jetojnë serbët. Kosova i ka konsideruar ato të paligjshme, por megjithatë ato janë toleruar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka filluar mbylljen e tyre që nga fillimi i vitit 2024.
Deri më tani janë mbyllur organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Postare Kursimore dhe ndërmarrjet publike.
“E falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëkohësisht kërkoj nga ata dhe nga Prokuroria që urgjentisht të hetojnë dëmet dhe përfitimet që ka shkaktuar veprimtaria e paligjshme e kësaj strukture paralele të Serbisë”, shtoi Rizvanolli.