
“Linjë direkte e fluturimit Prishtinë-Nju Jork”, Oda Amerikane diskuton me përfaqësuesit e kompanive ajrore amerikane
Në një përpjekje të koordinuar me Presidencën e Republikës së Kosovës, drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane u takuan me përfaqësuesit e kompanisë Delta Airlines dhe shoqatës Linjat Ajrore për Amerikën (Airlines for America) për të prezantuar mundësitë për vendosjen e një fluturimi direkt ndërmjet Prishtinës dhe Nju Jorkut.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga Oda Ekonomike Amerikane.
“Me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës të renditur si të tretin më të madhin për nga trafiku i pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor dhe ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë, Kosova është e gatshme të forcojë lidhjet transatlantike dhe të përmbushë kërkesën në rritje për linja direkte ajrore”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike Amerikane.