Kryetari Latifi përkujton dëshmorët e kombit, Visar Hotin dhe Safet Latifin

Kryetari Latifi përkujton dëshmorët e kombit, Visar Hotin dhe Safet Latifin

Sot, në 26-vjetorin e rënies heroike, në vendin e rënies së tyre, në Bjeshkën e Zatriqit, si dhe në varrezat e dëshmorëve, në vendlindjen e tyre në Ratkoc, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtur dëshmorët e kombit, Visar Hotin dhe Safet Latifin, të cilët në kohën kur Kosova kishte nevojë më së shumti, kapën armët dhe luftuan deri në frymën e fundit kundër pushtuesit serb.

“Visar Hoti dhe Safet Latifi u angazhuan në rrjedhat e veprimtarisë për liri në LKÇK, në një periudhë të rëndë të robërisë, ku e vetmja rrugë për liri kishte mbetur lufta e armatosur çlirimtare”, ka theksuar Latifi.

Ai ka thënë se dëshmitë tona flasin për shumë e shumë vepra të mira të këtyre dy luftëtarëve të dëshmuar të Batalionit të III-të të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të UÇK-së, para dhe pas kësaj date, të cilat u kurorëzuan me 18 prill 1999, ku bashkë e vulosën pavdekësinë në betejën heroike të Zatriqit.

“Veprimtaria dhe sakrifica e tyre janë burim frymëzimi për të gjithë ne. Ato na mësojnë se liria nuk fitohet pa sakrificë dhe se vetëm me përkushtim e ndershmëri mund ta çojmë Kosovën përpara. Lavdi e përjetshme Visarit, Safetit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!”, ka deklaruar kryetari Latifi.