
Rubio: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë nëse s’ka përparim
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje.
Kështu deklaroi më 18 prill sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu”, tha Rubio në Paris, raporton Rel.
Kryediplomati Rubio tha se presidenti Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por është i gatshëm të tërhiqet nëse nuk ka sinjale të menjëhershme të përparimit.
Rubio mori pjesë në bisedimet njëditore në Paris të mbajtura të enjten, ku ishin të pranishëm zyrtarët evropianë dhe ukrainas. Kryediplomati amerikan tha se diskutimet ishin konstruktive dhe rezultuan në një përmbledhje të hapave drejt paqes.
Franca ishte mikpritëse e takimit dhe për herë të parë, zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë u takuan së bashku për të diskutuar për përfundimin e luftës.