
Shqipëria dhe Kosova me hapa të përbashkët drejt BE-së
Në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, është zhvilluar një takim ndërmjet drejtorëve Politikë të Ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky takim u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal.
Në nisje të takimit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani përshëndeti delegacionin nga Kosova, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe rëndësinë e koordinimit mes institucioneve tona.
Takimi mes delegacioneve ka vazhduar me një bashkëbisedim frytdhënës lidhur edhe me përcaktimin konkret të hapave e aktiviteteve në vijim, si në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh dhe në atë rajonal e shumëpalësh.
Forcimi i subjektivitetit të Kosovës përmes njohjeve të reja dhe përforcimi i rolit të saj në strukturat rajonale, ishte pjesë e diskutimeve mes delegacioneve.
Pjesë e rëndësishme e bisedimeve ishte edhe vëmendja dhe koordinimi në raport me faktorin shqiptar në rajon.