Kurti: Japonia mbetet një nga miqtë tanë më të ngushtë

Kurti: Japonia mbetet një nga miqtë tanë më të ngushtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar për ish të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.

Me këtë rast, iu urua mirëseardhja edhe të ngarkuarit të ri me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki.

“Lamtumirat janë gjithmonë të hidhura, por ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për të reflektuar – këtë herë për vitet e thellimit të lidhjeve dhe arritjeve që i kanë bërë bashkë vendet tona. Jam i nderuar që jam këtu sonte për të njohur kontributin e të Ngarkuarit me Punë në largim, Keisuke Yamanaka, dhe për të mirëpritur ngrohtësisht Hiroyasu Tanigaki, ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë këtë partneritet të fortë dhe në rritje”, është shprehur Kurti.

Ai shtoi se Japonia mbetet një nga miqtë tanë më të ngushtë dhe Kosova është krenare që mbështet vizionin e Japonisë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, dhe ne aspirojmë të jemi partneri më i besueshëm i Japonisë në Evropën Juglindore, teksa kemi shënuar tashmë gjashtëmbëdhjetë vjet të marrëdhënieve diplomatike me Japoninë, që është një nga vendet e para aziatike që njohu pavarësinë e Kosovës.

“Që nga viti 2020, Japonia ka një ambasadë në Prishtinë, dëshmi kjo e marrëdhënieve tona gjithnjë e më të ngushta. Keisuke Yamanaka ka kontribuar shumë në këtë përparim. Ai luajti një rol kyç në sigurimin e zbatimit të iniciativave të rëndësishme, veçanërisht nëpërmjet Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), në fusha të tilla si mbrojtja e mjedisit, gatishmëria ndaj fatkeqësive, si dhe shkëmbimi kulturor dhe arsimor”, ka thënë Kurti.

Në vijim, kryeministri theksoi se Yamanaka mbështeti vizitën e tij zyrtare në Tokio në shtator 2022 për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror të Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe që ndihmoi në realizimin e vizitës së parë historike të Ministres së Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, në Prishtinë. Shtoi se ky vit është i veçantë për ne, pasi Kosova do të marrë pjesë në Expo 2025 në Osaka, duke iu bashkuar mbi 160 vendeve dhe rajoneve në paraqitjen e arritjeve tona teknologjike dhe kulturore.