
Kushtetuesja e hedh poshtë ankesën e Mustafës për shkelje të të drejtave të tij gjatë gjykimit
Paneli i Gjykatës Kushtetuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e ka hedhur poshtë ankesën e Salih Mustafës për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij gjatë gjykimit ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Dhoma e Gjykatës Kushtetuese tha se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, prandaj i shpalli të papranueshme një pjesë të ankesave të Mustafës, ndërsa të tjerat i rrëzoi, thanë Dhomat e Specializuara në një njoftim për media të enjten, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Mustafa është duke e vuajtur një dënim me 15 vjet burgim në Hagë, për krime lufte dhe vrasje të paligjshme gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Ai u ankua se për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej trupit gjykues dhe panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme.
Por, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese tha se nuk kishte gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre.
“Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të Mustafës në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.
Mustafa gjithashtu u ankua se paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale, por Kushtetuesja tha se ankesa e tij nuk qëndron.
“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës”, tha ajo.
Ndër ankesat e tjera të Mustafës ishte edhe ndaj vendimit të panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar mbrojtësin e viktimave të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë, duke thënë se kjo kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.
“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese… si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.