Llapi dhe Ferizaj vazhdojnë ecurinë pozitive në fazën vendimtare të edicionit

Llapi dhe Ferizaj vazhdojnë ecurinë pozitive në fazën vendimtare të edicionit

Skuadrat e Llapit dhe Ferizajt kanë regjistruar fitore të rëndësishme në ndeshjet e javës së 29-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, duke vazhduar kështu ecurinë pozitive në këtë fazë vendimtare të edicionit.

Llapi ka shënuar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat, duke e mposhtur Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Golin e vetëm të takimit e realizoi qendërsulmuesi Ardit Tahiri nga pika e bardhë në minutën e 45-të, duke i dhënë tre pikë të arta skuadrës së drejtuar nga Tahir Batatina.

Kjo fitore e largon Llapin nga zona e rrezikshme e tabelës, pasi tashmë ka grumbulluar 36 pikë dhe renditet në pozitën e shtatë, me të njëjtin numër pikësh si Dukagjini që ndodhet një vend më poshtë.

Një fitore të rëndësishme e ka regjistruar edhe skuadra e Ferizajt, e cila në shtëpi mposhti Malishevën, po ashtu me rezultat 1:0, duke shënuar kështu fitoren e dytë rresht në Superligë.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi mesfushori Edon Sadriu në minutën e 39-të.

Kjo fitore e ka ngritur Ferizajn nga vendi i gjashtë në pozitën e katërt me 41 pikë, vetëm gjashtë më pak se Malisheva që aktualisht mban vendin e tretë, pozitë që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane për edicionin e ardhshëm.