Gërvalla merr pjesë në darkën e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Gërvalla merr pjesë në darkën e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në darkën e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, darkë pune kjo e cila zhvillohet në margjinat e takimit të rregullt të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ku ndër temat kryesore të agjendës është edhe procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim joformal është organizuar me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe synon të ofrojë një platformë për një shkëmbim të hapur dhe të drejtpërdrejtë mes shefave të diplomacisë së vendeve të BE-së dhe atyre të rajonit.

Ndër të tjera, ministrja Gërvalla pritet të mbajë edhe takime me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do të diskutojë zhvillimet e fundit në rajon, rrugën evropiane të Republikës së Kosovës si dhe rëndësinë e përfshirjes së barabartë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese.