Mustafa: Vizat mund të hiqeshin më 2016, por VV, AAK, NISMA dhe VV-ja tjetër brenda LDK-së s’lejuan
Qytetarët e Kosovës, nga 1 janari i këtij viti iu gëzuan faktit se më në fund të mund të lëvizin lirshëm e pa viza në të gjithë zonën Schengen.
Ky proces kishte nisur shumë vite më parë, duke pritur e përcjellë shumë qeveri. Madje shumë zyrtarë evropianë kishin thënë moti kohë se Kosova i kishte përmbushur të 95 kushtet e paracaktuara për liberalizim të vizave, duke u bërë thirrje organeve ekzekutive të BE-së që të marrin vendim pro heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.
E në fund, meritat “i korri” qeveria aktuale Kurti.
Por, ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar duke treguar për bllokadën me mjete të dhunshme politike që kishte krijuar opozita e dikurshme, e cila e kishte shtyrë edhe liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë.
Isa Mustafa tha se asnjë prej kritereve të caktuara nga BE-ja për liberalizim nuk e ka përmbushur qeveria Kurti.
Sipas tij, “nga 95 kushte-kriteret që i kishte Kosova, 93 ishin përmbushur në vitin 2016 dhe dy të fundit, formalisht në vitin 2018”.
“Liberalizimi i vizave nuk është akt, për të përvetësuar meritat nga askush. Është proces i filluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2009 i negociuar me Komisionin Evropian në qershor të vitit 2012, kur iu prezantua Kosovës Udhërrëfyesi për liberalizim që përcaktonte një listë të gjerë kriteresh (kushteve, standardeve) pra reformash nga riintegrimi, ripranimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve, migracioni, azili, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, liria e lëvizjes e deri te demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”.
“Komisioni Evropian në Raportin e dt. 18 korrik 2018 kishte deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Në këtë raport shpjegohet po ashtu se Komisioni pas 4 raporteve të progresit, më 4 maj të vitit 2016 kishte dhënë propozimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Propozimi bazohej në mirëkuptim se në kohën kur ai miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës, Kosova do të kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të kishte forcuar historikun e saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Mustafa në një postim në Facebook.
Më tej, ai tregoi për një takim të tij, në cilësinë e kryeministrit, me kryetarin e atëhershëm të Komisionit Evropian, Jean-Claudie Juncker në Bruksel, më 27 prill 2016.
“Mu tha se Kosova sipas vlerësimeve të KE-së kishte përmbushur 93 nga 95 kriteret e përcaktuara për liberalizim të vizave. Në përmbushjen e këtyre 93 kritereve punën më të madhe e bënë ministritë e brendshme, ministritë e punëve të jashtme, të integrimeve evropiane, ato të administrimit të pushtetit lokal dhe komunat”, thotë Mustafa.
Më tej, ish-kryeministri thotë se në takimet me përfaqësuesit e BE-së, Frederica Mogerinin dhe komisionarët e KE-së në Nju Jork në shtator të vitit 2016, “mu konfirmua se BE do të fillojë liberalizimin e vizave para fundit të vitit 2016 nëse Kosova ratifikon marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi”.
Por thotë se i ishte thënë se “ky kusht nuk mund të garantohet për më vonë, sepse fillojnë zgjedhjet në Parlamentin Evropian dhe mund të ndryshojë vullneti dhe raporti i forcave në institucionet e BE-së”.
Më tej, Isa Mustafa thotë se opozita e atëhershme kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi “duke trilluar se Kosova po humb 8200 hektarë”.
Megjithatë, ai thotë se demarkacioni u votua në mars të vitit 2018, “gënjeshtrat u gëlltitën, por qytetarët e Kosovës u dash të presin edhe 7 vjet para ambasadave, të humbin kohë e të shpenzojnë para”.
“Për këtë vonesë nuk mund të fajësohet vetëm Vetëvendosja, ishin edhe parti të tjera opozitare (AAK, NISMA) që kundërshtuan sikurse edhe një numër i deputetëve të LDK-së (VV-së brenda LDK-së) dhe ndonjëri nga PDK. Këta kalkulantë të votave, Kosovës nuk ia kthyen asnjë hektar nga predikimet e tyre, por qytetarëve ua zbrazën gjepat, kurse gënjeshtrat dhe mashtrimet i shitën dhe vazhdojnë ti shesin në tregun e lirë të popullizmit. Liberalizimi i vizave në vitin 2016 do të kishte domethënie tjetër politike, kurse përfitimet e shtetit dhe të qytetarëve do të ishin shumë të mëdha. Por shumë më mirë vonë sesa të mbeteshim në geto”, përfundoi ish-kryeministri Isa Mustafa.