
Akuzat për trafikim seksual, ekipi i Jean Claude Van Damme i quan absurde dhe të pabaza
Përfaqësues të Jean-Claude Van Damme kanë folur pas akuzave të ngritura kundër tij.
“Jemi të vetëdijshëm për raportimet që pretendojnë një aferë të dyshuar në Kanë që përfshinë Van Damme. Ai nuk dëshiron të komentojë, pasi ato janë absurde dhe të pabaza”, thuhet në një deklaratë nga një përfaqësues i aktorit.
Një kallëzim penal u depozitua në Drejtorinë Rumune për Hetimin e krimit të Organizuar dhe Terrorizmit kundër aktorit 64-vjeçar, me pretendimin se ai me vetëdije është përfshirë në një marrëdhënie seksuale me gra të trafikuara nga një grup kriminal i drejtuar nga Morel Bolea, transmeton Klankosova.tv.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë një aktiviteti të organizuar nga Van Damme në Kanë, ku aktori akuzohet se ka marrë si “dhuratë” pesë gra rumune me dijeni paraprake se ato vinin nga një grup trafikantësh, sipas kallëzimit penal.
Avokati Adrian Cuculis, i cili përfaqëson një nga viktimat, ka thënë se “ishin në një gjendje vulnerabiliteti, me dyshimin se ato ishin shfrytëzuar sipas kuptimit të nenit 182 të Kodit Penal”.