
Ata ishin histori në lëvizje. Beteja e Koshares (9 prill 1999 – 9 prill 2025)
Nga Hisen Berisha
Kanë kaluar 26 pranvera nga ajo ditë kur gjithçka mori tjetër kuptim për Kosovën dhe për kombin shqiptar.
Më 9 Prill 1999, në malet e grykat e Koshares, u shpalos një kapitull i ri i historisë sonë – një epikë e gjakut dhe lavdisë, ku kufiri mes jetës dhe vdekjes nuk u mat me frikë, por me vendosmëri, burrëri dhe betimin e shenjtë për liri.
Kosharja nuk ishte vetëm një betejë ushtarake – ajo ishte shembje mitesh, ndarje epokash dhe ringjallje e shpirtit kombëtar.
Kosharja – Porta e Lirisë së Kosovës që u çel me gjakun e heronjëve
Ishte aty ku me forcën e armës u hoq, për herë të parë, kufiri famëkeq që ndante shqiptarët, i vendosur nga padrejtësitë e historisë, por i ruajtur me armë nga okupatori shekullor serb.
Ishte aty ku luftëtarët e UÇK-së – nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, nga mërgata atdhedashëse dhe luftëtarë të popujve liridashës– ia hapën rrugën lirisë me gjak, me armë, me sakrificë, me përkrahjen e SHBA dhe aleatëve të NATO-s dhe me bekimin e gjithë kombit që i ndiqte me zemër në dorë.
Luftëtarët e Koshares nuk ishin thjesht ushtarë. Ata ishin histori në lëvizje. Ishin bij të Shqipërisë Etnike, të rritur me madhështinë e krenarinë e Skënderbeut dhe me plagët e kombit.
Ata komanduan nga fronti e jo nga zyra, udhëhoqën me shembull e jo me fjalë, dhe ranë me emrin e atdheut në gojë, duke u bërë të pavdekshëm.
Sot, 26 vjet më vonë, Kosharja nuk është vetëm kujtim. Është udhërrëfyes. Është flamur që nuk lejon harresë. Është amanet për bashkim kombëtar dhe për një Kosovë që duhet të qëndrojë gjithmonë në krah të miqve të saj të përjetshëm – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s – por gjithmonë me kokën lart dhe rrënjët thellë në gjakun e dheun e dëshmorëve.
Lavdi përjetë të rënëve të Betejës së Koshares dhe të gjithë Deshmorëve të UÇK!
Nderim dhe respekt për të mbijetuarit dhe familjet e tyre!
Rroftë Kosharja – porta e lirisë Kosovës!