Merz njofton për marrëveshjen për Qeverinë, synon të bëhet kancelar në maj

Merz njofton për marrëveshjen për Qeverinë, synon të bëhet kancelar në maj

Udhëheqësi i kristiandemokratëve në Gjermani, Friederich Merz, njoftoi se bisedimet për formimin e një koalicioni qeverisës kanë përfunduar me një marrëveshje, duke shtuar se synon që ta marrë detyrën e kancelarit në fillim të majit.

Merz theksoi se bisedimet për koalicion u zhvilluar në mes të “tensioneve ndërkombëtare politike në rritje”, duke përmendur pushtimin e Ukrainës të nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

“Agresori rus, Putin, nuk po shfaq gatishmëri për t’i dhënë fund luftës. Në të njëjtën kohë, pasiguritë ekonomike po rriten shumë. Vetëm këtë javë, vendimet e Qeverisë amerikane kanë shkaktuar turbulenca të reja”, tha Merz.

Merz do të jetë kancelari i gjerman, pasi ka arritur marrëveshje për një koalicion qeverisës me Socialdemokratët e udhëhequr nga Lars Klingbeil, që pritet të bëhet ministër i Financave.

Pasi u njoftua për arritjen e marrëveshjes për Qeverinë e re, koalicioni publikoi programin politik prej 144 faqesh, ku ofrohet mbështetje e fuqishme për Ukrainën.

“Do t’i ofrojmë Ukrainës mbështetje gjithëpërfshirëse, që ajo të mund të mbrohet në mënyrë efektive ndaj agresionit rus dhe të ketë një pozicion të fortë në negociata”, thuhet në dokument.