Nipi i Luan Krasniqit, Ardiani gati për të arritur majën në boks

Nipi i Luan Krasniqit, Ardiani gati për të arritur majën në boks

Boksieri Ardian Krasniqi është gati për të mbrojtur titullin WBO Intercontinental.

Krasniqi do të ketë një detyrë tjetër për të arritur majat e boksit botëror, e nga afër po i qëndron edhe xhaxhai i tij.

“Xhaxhai Luani gjithmonë më mbështet, flasim gjithmonë, më jep këshilla të mira. Ai i ka përjetuar të gjitha që jam duke i bërë unë. E kam një plan të mirë shpresojë se do t’ia dalim”, është shprehur Ardian Krasniqi në një intervistë për Klan Kosova.

Ardianit nga afër po i qëndron edhe babai, që njëherësh është edhe trajner i tij.

Agim Krasniqi thotë se e kanë analizuar kundërshtarin e Ardianit, teksa tregon objektivin që kanë.

“I kemi parë disa ndeshje të kundërshtarit, ka shumë meçe, ka një teknik të përsosur, na duhet ky titull, drejt synimit në Kampionatin Botëror”, është shprehur ai.

Ardiani tregoi se pret përkrahje të madhe nga shqiptarët kur të ngjitet në ring në Shtutgart.

“Përkrahja nga tifozët shqiptarë është gjithçka për mua, jam krenar që jam shqiptar. Të gjithë shqiptarët që vijnë në arenë do t’u premtojë një Ardian të fortë”, tha ai.

Ardiani Krasniqi nga 10 meçet e zhvilluara deri më tani i ka të fituara të gjitha me nokaut.

Me 26 prill, Krasniqi do të ndeshet me Diego Ramirez. Meçin mund ta ndiqni ekskluzivisht në Klan Kosova.