
Begaj takon kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s: Duhet ta mbështesim Kosovën
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, e ka pritur sot në takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giuseppe Cavo Dragone.
Begaj pasi e uroi për detyrën dhe e falënderoi për përzgjedhjen e Shqipërisë për vizitën e tij të parë në rajon, shprehu edhe një herë vlerësimin për misionin dhe rolin e NATO-s.
Shefi i shtetit shqiptar theksoi se prania e NATO-s në rajon dhe prezenca e KFOR-it në Kosovë dëshmojnë për rëndësinë dhe vëmendjen që NATO i kushton rajonit tonë.
“Të jemi së bashku, të diskutojmë së bashku, të gjejmë zgjidhjet së bashku sepse vetëm nëse jemi të unifikuar dhe bashkë, ne do të jemi më të fortë. Paqja dhe siguria janë dy fjalë magjike jo vetëm për rajonin tonë në kohërat që po jetojmë. Ne duhet të punojmë fort për t’i garantuar ato”, deklaroi ai.
Bajram Begaj, shtoi se duhet mbështetur Kosova që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të rrisë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe iniciativave rajonale.
Ai tha se Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes, vijon modernizimin e Forcave të Armatosura dhe ka shtuar përfaqësimin e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s.
“Është shumë i rëndësishëm, investimi në projektet infrastrukturore, si Korridori VIII dhe porti i ri Porto Romano, të cilat realizojnë ndërlidhjen strategjike dhe rrisin lëvizshmërinë ushtarake”, deklaroi Begaj.