Konjufca thotë koalicioni është i nevojshëm për krijimin e Qeverisë

Konjufca thotë koalicioni është i nevojshëm për krijimin e Qeverisë

Kryeparlamentari në detyrë, Glauk Konjufca pas takimit me partitë politike ku u diskutua për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se LVV ende nuk e ka caktuar emrin e kryeparlamentarit të ardhshëm.

“Sa i përket kryetarit të Kuvendit, LVV ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit kjo për arsye se mendoj se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës që pastaj do të shndërrohet në qeveri, i nënshtrohen disa principeve e njëri prej tyre është përpjekja për të themeluar Qeverinë”, tha Konjufca.

Ai shtoi se është e pamundur që të mos krijohet një koalicion në mënyrë që të jenë votat për formimin e Qeverisë së re.

“Kur jemi te Qeveria është e pamundur që të mos themelohet një koalicion që krijon mazhorancën e aftë për të zgjedh me 61 vota një qeveri të re. Të gjitha pozicionet përfshirë atë të kryetarit të Kuvendit i nënshtrohet këtij principi”, tha Konjufca.

Konjufca ka përmendur se kryetari i LVV-së, Albin Kurti deri më tash i ka dërguar ftesë për takim vetëm kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Letra i është drejtuar vetëm LDK-së, kurse gjuhën që do ta përdorim do të jetë një gjuhë e bashkëpunimit e partneritetit. Mund ta merrni me mend tensionet dhe polarizimet e mëdha që ndodhin gjatë fushatës, por në fund të fundit të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe e shohim se cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë se politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen e dashurinë”, tha Konjufca.