Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) triumfuan me medalje të artë në Sanremo të Italisë

Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) triumfuan me medalje të artë në Sanremo të Italisë

Kadetët e Qendrës për Studime Universitare kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në garën ndërkombëtare të Ligjit të Konfliktit të Armatosur (LOAC), ku morën pjesë akademi ushtarake nga vende të ndryshme të botës, duke triumfuar me medalje të artë, e cila u nda nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë.

Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) është një organizatë e pavarur që promovon ligjin ndërkombëtar humanitar, të drejtat e njeriut dhe ligjin e refugjatëve, duke ofruar kurse dhe konferenca për profesionistë ushtarakë, diplomatë dhe juristë.

IIHL organizon çdo vit një garë mbi Ligjin e Konfliktit të Armatosur (LOAC) për akademitë ushtarake nga e gjithë bota, ku kadetët mësojnë dhe zbatojnë ligjin në skenarë të simuluar ushtarakë.

Gara përbëhet nga një fazë praktike, ku ekipet shumëkombëshe këshillojnë mbi çështje ligjore bazuar në situata të supozuara.

Ky aktivitet, përveçse një garë, është edhe një ushtrim që përgatit udhëheqësit ushtarakë të ardhshëm për operacione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërgjegjësimin për çështjet humanitare.

Pjesëmarrja realizohet me ekipe të përbëra nga tre kadetë dhe një lider ekipi (instruktor). Gara zhvillohet në gjuhën angleze, prandaj kërkon një nivel të lartë të përgatitjes gjuhësore.

Këtë herë, Qendra për Studime Universitare mori pjesë për herë të parë në këtë garë dhe u kthye me medalje të artë, duke dëshmuar avancimin që kjo qendër po arrin në përgatitjen e kadetëve të saj. Gara ishte gjithashtu një shembull i shkëlqyer i punës ekipore me kombet e tjera, ku kadetët tanë bashkëpunuan ngushtë me kolegë ndërkombëtarë në zbatimin e Ligjit të Konfliktit të Armatosur.

Ky triumf pasqyron progresin që Qendra për Studime Universitare po shënon në ngritjen e kapaciteteve të saj si një institucion akademik ushtarak.

Ai reflekton përkushtimin dhe disiplinën e kadetëve, si dhe përparimin e Qendrës në skenën ushtarake ndërkombëtare.